

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e prokurorit special drejtuar Kuvendit për dhënie autorizimi ndaj zëvendëskryeministres, vetëm pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi pezullimin e një anëtari të qeverisë, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe antidemokratik.
Në deklaratën e tij, Rama thekson se pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, është paraqitur një kërkesë e re që kërkon miratim parlamentar për masa të rënda sigurie, çka sipas tij vjen në një kontekst ku arrestimet pa gjykim janë kthyer në një praktikë shqetësuese në Shqipëri.
Ai nënvizoi se vendi ka aktualisht më shumë persona në paraburgim sesa të dënuar, një realitet që bie ndesh me standardet demokratike europiane dhe që ka ngjallur shqetësim edhe në Këshillin e Europës.
Megjithatë, Rama sqaroi se qeveria nuk do të paragjykojë kërkesën e prokurorit special. Ai theksoi se, ndryshe nga praktika e deritanishme ku mazhoranca nuk shprehet për përmbajtjen e çështjeve konkrete, këtë herë Kuvendit i është kërkuar të japë opinion.
Në këtë kuadër, Rama deklaroi se mazhoranca do të angazhohet me përgjegjësi të plotë përpara qytetarëve që i kanë besuar 83 mandate, për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë dhe dinjitoz, në përputhje me rolin e saj si forcë udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.
Deklarata e plotë
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






