Transmetuar më 16-12-2025, 13:59

Spiropali kërkon heqjen e ligjit të luftës: Referencë atavike nga Lufta e Dytë Botërore, të shohim drejt së ardhmes

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka kërkuar heqjen përfundimtare të të ashtuquajturit ligj i luftës, duke e cilësuar atë si një referencë ligjore atavike që buron nga Lufta e Dytë Botërore dhe që nuk pasqyron realitetin aktual të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjatë një deklarate të përbashkët me homologun grek, Spiropali theksoi se takimet e zhvilluara kanë përforcuar bindjen se ekziston një potencial i madh miqësie, i cili krijon momentin e duhur për të trajtuar si çështjet e mbetura, ashtu edhe ato aktuale, me synimin për të hapur sa më shpejt një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.

Ajo u shpreh se është e nevojshme të shihet e kaluara “me sytë e së ardhmes së përbashkët”, duke nxitur komunikimin dhe bashkëpunimin mes shoqërive, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale dhe studentëve të të dy vendeve.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me një perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e Dytë Botërore, e cila ka pasoja në marrëdhëniet aktuale dhe nuk reflekton realitetin tonë si aleatë dhe miq,” u shpreh Spiropali.

Në përfundim, ajo falënderoi posaçërisht ministrin grek për lidershipin dhe vizionin e treguar në ndërtimin e një marrëdhënieje të orientuar drejt së ardhmes, duke theksuar se ky hap do të forconte më tej bashkëpunimin dypalësh dhe vizionin e përbashkët europian të dy vendeve. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit