

Projekti për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë, që do të lidhte Velipojën me Ulqinin, është anuluar nga qeveria shqiptare, pavarësisht se ishte shpallur me bujë në shkurt të vitit 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i atëhershëm malazez, Dritan Abazoviç.
Në kohën e prezantimit të projektit nga Podgorica, dy kryeministrat e cilësuan urën si një vepër me rëndësi strategjike, që do të lidhte dy shtete përmes një distance prej rreth 300 metrash. Projekti parashikohej të realizohej përmes një procedure të përbashkët ndërkombëtare dhe me financim të ndarë mes dy vendeve.
Marrëveshja për ndërtimin e urës u miratua disa muaj më vonë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, me votat e maxhorancës dhe opozitës, ndërsa më pas u përfshi në listën e projekteve prioritare të investimeve buxhetore. Kostoja e parashikuar e veprës ishte rreth 20 milionë euro dhe zbatimi i saj iu ngarkua Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Megjithatë, ndonëse qeveria deklaroi se projekti ishte gati për zbatim, ndërtimi i urës nuk nisi asnjëherë. Në përditësimin më të fundit të listës së projekteve prioritare, të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, ura mbi Bunë nuk figuron më.
Heqja e saj nga kjo listë sinjalizon de facto anulimin e projektit, pa një njoftim të posaçëm apo sqarim të detajuar publik nga autoritetet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






