

Rama ndryshon qëndrim për median, sinjalizon heqjen e shpifjes si vepër penale për gazetarët
Kryeministri Edi Rama ka sinjalizuar një ndryshim qasjeje në raport me median, duke deklaruar se qeveria po përgatit dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, një hap që ai e paraqet si pjesë të përpjekjeve për përmirësimin e klimës së lirisë së shprehjes.
Ky qëndrim vjen në një moment kur Shqipëria duhet të përafrojë legjislacionin e saj me standardet e Bashkimit Europian, si pjesë e procesit të integrimit. Në këtë kontekst, Rama duket se po tërhiqet nga disa prej nismave të mëparshme ligjore, të cilat ndër vite janë konsideruar nga ekspertë dhe organizata ndërkombëtare si kufizuese për gazetarët dhe median.
Në të kaluarën, ish-kryeministri Fatos Nano kishte ndërmarrë një qasje që nxiti lirinë e medias, duke shfuqizuar një ligj të ngarkuar me masa kufizuese dhe duke e reduktuar atë në një parim të vetëm: media është e lirë.
Ndërkohë, gjatë mandateve të tij, qeveria Rama ka rikthyer rregullime dhe iniciativa të reja ligjore që kanë nxitur debat mbi lirinë e medias.
Duke folur sot, Rama deklaroi se qeveria ka marrë një angazhim të qartë për të hequr përgjegjësinë penale për shpifjen në rastet që lidhen me gazetarët.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit nuk ka pasur ndëshkime penale ndaj gazetarëve nga paditë e qeverisë dhe se institucionet janë ndaluar të ndjekin një praktikë të tillë. Megjithatë, padi, ankesa dhe anatemime për media dhe gazetarë, vendas dhe të huaj, ka pasur vazhdimisht, veçanërisht nga Rama.
Kryeministri tha se ky hap synon të kontribuojë në një klimë më të qetë dhe më të relaksuar për median në tërësi, duke shtuar se qeveria nuk mjaftohet vetëm me deklarata vullneti, por synon që këto angazhime t’i kthejë në veprime konkrete dhe progres të matshëm. /noa.al
Pjesa e plotë për këtë çështje:
"Ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh, që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në gjithë këto vite, as nuk ka pasur në fakt padi për gazetaret sepse i kemi ndaluar të gjithë paditë prej shumë vitesh, por kjo nuk shënohet në arsyet për tu ndjerë të lirë dhe për tu ndjerë me krahë të lehtë në punën e gotës gjysmë bosh, gjithsesi ne do ta bëjmë dhe këtë hap tjetër. Një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve në tërësi edhe pse unë personalisht nuk besoj se këtu problem është liria e shprehjes, këtu problem është në fakt liria e shpifjes, por thashë kjo është temë jo për këtë tryezë dhe nuk dua të thyej gotën tani.
Unë nuk besoj te auto-rregullimi dhe po i kthehem historisë së medias online. 5 vite më parë apo 6, se tani nuk e di sa, u bë një debat shumë i madh për një propozim shumë herë më modest se çfarë po ‘’gatuhet’’ sot në BE për rregullimin e medias online dhe u bë një nam i zi për lirinë, për demokracinë,. U futëm dhe në analet e disa vendeve strikte-fair në Evropë që na e lanë si gozhdë aty, ligji i medias- ligji i medias, që ne asnjëherë nuk e shtymë në ndonjë proces zbatimi po thjesht ishte një draft ku kërkoheshin disa gjëra shumë elementare; që nga deklarimi i personit apo personave qe janë mbrapa një portali, adresa dhe mundësia për çdokënd që ta dijë se kush po i lexon librin e shtëpisë, edhe disa gjëra të tjera shumë elementare. Ra ajo gjë dhe u tha ‘’vetërregullimi, autorregullimi do të jetë instrumenti që do të sjellë një nivel tjetër në botën online’’.
Siç e keni parë, jo vetëm nuk ka pasur vetërregullim, por ka pasur degjenerim të vazhdueshëm, gjithmonë e më të madh. Megjithatë ne hoqëm dorë atëherë dhe nuk kemi ndërmend të vëmë dorë në këtë drejtim, përveçse pasi BE t’i ketë thirrur mendjes vetë plotësisht dhe ta ketë bërë gjënë që duhet ta bënte me kohë, që po tenton tani sepse tani të gjitha vendet e shohin që gjëja po del krejtësisht jashtë kontrollit, që media online, në tërësi flas, është bërë një territor, ku ndërhyjnë edhe forca që janë forca jo miqësore me BE-në, ndërhyhet këtu, ndërhyhet atje dhe normal, nëqoftëse ti ‘’shtëpinë e lë pa dritare, pa dyer, pa çati dhe pretendon që të flesh rehat dhe që askush mos të të hyjë në shtëpi’’, atëherë beson në një botë që s’ekziston, por e përsëris, kjo është një temë që s’është për ne. Ne nga ana jonë, do të bëjmë diçka që 24 vendet e BE nuk e kanë. Në 24 vende të BE, shpifja dënohet penalisht. Ne do ta heqim aspektin penal për gazetarët, për të gjithë ata që jetojnë me informacionin dhe punojnë me informacion. E di që nuk do të na vihet tek meritat që kemi në raport me lirinë, e kam shumë të qartë këtë, nuk do të na e numëroni asnjëherë si një gjest pozitiv në emër të lirisë, po kjo nuk ka shumë rëndësi sepse detyra juaj nuk është që të njihni meritat tona. Detyra juaj është që të na thoni ne se sa gabim jemi. "
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






