Transmetuar më 16-12-2025, 10:55

Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, konkretisht në lagjen Nr. 9, e njohur si “Lagjja e Re”, ku një person ka mbetur i plagosur.

Sipas burimeve zyrtare që citon noa.al, i dëmtuari është Fabion Kuçi, i njohur në rrjetin social TikTok edhe me pseudonimin “GUCCI”. Ai është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet.

Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po vijon veprimet për kapjen e tij, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në proces.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës tha në një komunikatë se pak para mesnatës, rreth orës 23:40, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 9, dyshohet se është plagosur me armë zjarri, shtetasi Fabion Kuçi, 33 vjeç, i cili ka marrë asistencë mjekësore dhe është larguar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar autorin e plagosjes, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen të njohura, për të mos cenuar vijimin e hetimeve. Punohet intensivisht për kapjen e autorit, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, një grup i posaçëm hetimor po punon për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.

Fabion Kuçi ishte kthyer në Shqipëri disa muaj më parë dhe kishte qenë aktiv në rrjetet sociale, ku herë pas here përfshihej në debate virtuale me persona të tjerë të njohur në platformë.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse këto përplasje kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit