Transmetuar më 16-12-2025, 08:26

Arti iku nga kjo botë në moshën vetëm 27 vjeç. Shumë i ri për të ndërruar jetë. Dhe shumë i ri për të pasur mbi supe kaq shumë: Ai nisi karrierën policore duke punuar me mish e me shpirt që të aderonte në forcat e uniformave blu.

Por kjo nuk zgjati shumë sepse dy vjet më parë, në 2023 kur ishte 25 vjeç dhe nuk kishte shumë që ishte futur në polici, befas ai vendos të largohet.

Ikën përgjithnjë nga policia, ndoshta duke e ditur se ish kolegët do ta gjenin të vdekur.

Sipas deklarimeve të familjarëve, ditën e djeshme rreth orës 11:00, Artjoni ka dalë nga banesa e tij me automjetin e tij tip BMW, me targa AA 169 YX, pa bërë me dije destinacionin dhe nuk është kthyer më.

Po sipas familjarëve, shtetasi vuante prej rreth tre vitesh nga ankthi dhe depresioni, për të cilat ishte në trajtim mjekësor.

Raportohet se i riu u kishte thënë familjarëve para se të ikte se ai nuk do të kthehej në shtëpi, nëse nuk do të gjente punë.

Tre orë më vonë, rreth orës 14:00, është marrë njoftim se në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”, Vlorë, po digjej një automjet.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat konstatuan se një automjet tip BMW, me targa AA 169 YX, ishte djegur plotësisht.

Nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para hetimore. Gjatë këqyrjes së automjetit, në sediljen e drejtuesit të mjetit u gjet trupi i pajetë i një personi, i djegur plotësisht dhe ende i paidentifikuar.

Nga këqyrja paraprake e automjetit dhe e trupit të pajetë nuk u konstatuan shenja të dukshme dhune apo dëmtime të shkaktuara nga faktorë të jashtëm, përveç atyre të shkaktuara nga zjarri.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se automjeti ishte në pronësi të shtetasit Artjon Isa Xhelo, datëlindja 22.02.1998, lindur dhe banues në Berat.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë, ku për identifikimin përfundimtar pritet përgjigjja e analizave biologjike (ADN).

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, dyshohet se kemi të bëjmë me një rast vetëvrasjeje, ndërsa, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit