

Tiranë, 16 dhjetor 2025 — Qeveria parashikon ndryshime të rëndësishme në mënyrën e tarifimit të mbetjeve, duke synuar zbatimin e parimit “Paguaj sipas hedhjes” për familjet dhe bizneset. Kjo masë është përfshirë në Programin Kombëtar të Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve, i cili është nxjerrë për konsultim publik.
Sipas dokumentit, familjet dhe subjektet e biznesit do të paguajnë një taksë individuale në bazë të sasisë reale të mbetjeve që gjenerojnë, duke u larguar nga sistemi aktual me tarifa fikse. Qëllimi kryesor është krijimi i një modeli të ri që inkurajon riciklimin dhe reduktimin e mbetjeve.
Parimi “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT) konsiderohet një nga instrumentet ekonomikë më efektivë për uljen e sasisë së mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm. Ky sistem ofron nxitje ekonomike për qytetarët dhe bizneset që të ndajnë dhe riciklojnë mbetjet, pasi tarifimi do të aplikohet vetëm për mbetjet e përziera të mbetura, ndërsa për mbetjet e riciklueshme nuk do të ketë pagesë.
Në masën 6 të programit theksohet se zbatimi i PAYT do të kërkojë ndryshime thelbësore si në mënyrën e ndarjes së tarifave të mbetjeve bashkiake, ashtu edhe në sistemin e grumbullimit. Modeli aktual me pika të përbashkëta do të zëvendësohet gradualisht me koshë ose kontejnerë individualë, të cilët do të mundësojnë matjen e sasisë së mbetjeve për çdo familje apo subjekt biznesi.
Sipas planit të qeverisë, ky sistem i ri pritet të vihet në zbatim brenda vitit 2029, duke i vendosur bashkitë përpara detyrimit për të plotësuar kuadrin ligjor dhe logjistikën e nevojshme.
“Paralelisht me zhvillimin e modeleve të reja të grumbullimit të mbetjeve, do të iniciohen ndryshimet ligjore për adoptimin e sistemit PAYT, duke mundësuar aplikimin e tarifave të bazuara në peshë dhe/ose vëllim për shërbimet bashkiake të menaxhimit të mbetjeve. Bashkitë do të fillojnë zbatimin e këtij sistemi jo më vonë se viti 2029”, thuhet në dokument.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






