

Vlorë- Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme (15 dhjetor) në vendin e quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku një person është gjetur i pajetë dhe i djegur brenda automjetit të tij.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Artjon Xhelo, 32 vjeç, banues në fshatin Banaj të bashkisë Dimal, ish-punonjës i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Ai u gjet rreth orës 14:35, i djegur në sediljen e shoferit të automjetit të tij tip BMW.
Artjol Xhelo ka shërbyer për disa vite në DVP Berat si pjesë e Forcave Operacionale “Shqiponjat”. Në vitin 2023, sipas burimeve, ai kishte shfaqur probleme të theksuara të shëndetit mendor, kryesisht depresion, çka solli largimin e tij nga Forcat “Shqiponja” dhe transferimin në Postën e Policisë Poliçan.
Më pas, pas një ngjarjeje ku raportohet se i kishte humbur arma e shërbimit, ndaj tij u mor masë disiplinore, e cila çoi në përjashtimin e tij nga radhët e Policisë së Shtetit. Burime të brendshme bëjnë me dije se Xhelo vuante nga probleme të rënda psikologjike.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave. Megjithëse hetimet janë ende në fazë paraprake, dyshohet se 32-vjeçari i ka dhënë fund jetës brenda automjetit të tij.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës dhe veprimeve hetimore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






