

Tiranë, 15 dhjetor 2025 Partia Socialiste ka njoftuar krijimin e një komisioni etike me synim luftën kundër nepotizmit dhe klientelizmit në administratën publike, përmes kontrollit të lidhjeve familjare të zyrtarëve në nivele drejtuese.
Projekti u prezantua në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, në prani të kryeministrit Edi Rama, ndërsa detajet u bënë publike nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla. Sipas tij, nisma synon të vendosë një ndarje të qartë mes funksionit politik dhe lidhjeve familjare me administratën shtetërore.
Balla theksoi se familjarët e deputetëve socialistë nuk duhet të kenë angazhime në administratën publike dhe se çdo rast i tillë duhet të zgjidhet me shkëputje nga pozicioni përkatës. “Nëse një deputet i Partisë Socialiste ka një familjar në administratën publike, kjo situatë duhet të marrë fund. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se funksioni politik nuk mund të ndërthuret me interesat familjare”, u shpreh ai.
Komisioni i etikës brenda PS-së do të drejtohet nga Lindita Nikolla, ndërsa anëtarë do të jenë Kiduina Zaka, Erjon Malaj, Marjana Koceku dhe Ermal Elezi. Ky komision pritet të ketë rol këshillimor dhe monitorues në respektimin e standardeve etike brenda partisë dhe në raport me administratën publike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






