

Greqi, 15 dhjetor 2025
Gjykata e Përzier e Apelit të Kretës ka shpallur unanimisht të pafajshëm një prift 71-vjeçar, i cili në shkallën e parë ishte dënuar me 15 vite burg për përdhunimin e një 19-vjeçari me aftësi të kufizuara mendore, ngjarje e raportuar në një fshat të komunës Platanias.
Vendimi përbën një përmbysje të plotë të çështjes, pasi trupi gjykues pranoi kryerjen e një ekspertize të re mjeko-ligjore, e cila, sipas avokatëve mbrojtës, nuk konfirmoi kryerjen e akteve të përdhunimit. Si pasojë, prifti u lirua nga të gjitha akuzat.
Në të njëjtën seancë, gjykata shpalli fajtor babanë e 19-vjeçarit për akuzën e lëndimit të lehtë trupor, ndërsa e shpalli të pafajshëm për bashkëpunim në përdhunim. Ai u dënua me 3 vite burg, dënim i konsideruar i vuajtur, pasi më herët kishte qenë i dënuar me 14 vite burg në shkallën e parë.
Avokatja mbrojtëse e priftit, Vaso Pantazi, deklaroi se vendimi është “historik” dhe se drejtësia pranoi rishqyrtimin e provave mjeko-ligjore, të cilat, sipas saj, treguan se nuk kishte prova për përdhunim. Edhe avokati tjetër mbrojtës, Giorgos Kanellakis, theksoi se vendimi rikthen besimin te drejtësia.
Nga ana tjetër, mediat greke raportojnë se prokuroria kishte shprehur rezerva mbi ekspertizën fillestare të vitit 2021, duke e cilësuar atë të paplotë dhe jo profesionale. Megjithatë, prokurorja kishte kërkuar që i pandehuri të shpallej fajtor për një rast të vetëm përdhunimi, jo të përsëritur, kërkesë që nuk u pranua nga gjykata e apelit.
Çështja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik grek, ndërsa vendimi i fundit pritet të pasohet nga zhvillime të tjera ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






