

Shpërthim i një ndërtese banimi në Ain: dy fëmijë humbin jetën dhe të paktën katër janë plagosur
Një shpërthim ndodhi sot pasdite, rreth orës 17:30, në një ndërtesë banimi katërkatëshe në Trévoux, në departamentin Ain, pranë Lionit. Si pasojë, janë regjistruar të paktën gjashtë viktima, mes tyre dy fëmijë 3 dhe 5 vjeç që kanë humbur jetën dhe 4 të plagosur, njoftoi prefektura.
Ky është një raport paraprak dhe kërkimi vazhdon, deklaroi prefektura, duke i kërkuar publikut të shmangë zonën. "Rreziku nuk është përjashtuar ende", shtoi ajo.
“Operacionet e shpëtimit janë ende në vijim”, bëri të ditur prefektura. Në vendngjarje ndodhen rreth 50 zjarrfikës, 36 mjete operacionale si dhe ekipe mjekësore të specializuara.
Prefektja e Ain ka aktivizuar planin NOVI (për “numër të madh viktimash”), i cili mundëson mobilizimin e të gjithë aktorëve të zinxhirit të emergjencës në raste me shumë të dëmtuar në të njëjtin vend.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave të mitura. Mendoj gjithashtu për të plagosurit”, deklaroi në rrjetin social X ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, duke shtuar se po e ndjek “me vëmendje zhvillimin e situatës”.
Disa persona janë evakuuar dhe “janë sistemuar në një qendër pritjeje”, njofton prefektura, e cila thekson gjithashtu se “është aktivizuar një njësi urgjente mjeko-psikologjike”.
Autoritetet bëjnë me dije se “dy institucionet shkollore që ndodhen pranë zonës kanë pësuar dëmtime materiale, kryesisht thyerje xhamash, por drejtuesit e shkollave nuk raportojnë për persona të lënduar”.
Xhandarmëria ka vendosur një perimetër sigurie dhe u bën thirrje banorëve të shmangin zonën përreth. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






