

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në Qafën e Llogarasë, ku një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët gjatë lëvizjes. Brenda mjetit është gjetur trupi i pajetë i drejtuesit, i identifikuar si Artjol Xhelo, 32 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:35. Shërbimet zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti ka pësuar dëme të rënda.
Viktima është gjetur në sediljen e drejtuesit të mjetit. Artjol Xhelo ishte nga Ura Vajgurore dhe kishte dhënë dorëheqjen nga Policia e Shtetit në vitin 2023.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje, ndërsa pritet ekspertiza për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo faktorë të tjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






