

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se nuk ka rrugë tjetër përveç protestës dhe përballjes me Edi Ramën. Gjatë fjalës së tij në foltoren e PD-së, Berisha u shpreh se në zgjedhjet e fundit, Rama u fali 2 miliardë euro 83 mijë bizneseve, në një kohë kur 760 mijë pensionistë nuk blejnë dot ilaçet.
Lideri i opozitës tha se Rama është armik i votës së lirë dhe armik i demokracisë së shqiptarëve. Berisha tha se ai e grabiti votën e lirë me banda, banditë, kriminelë dhe me kartelet e drogës.
Berisha: Por duhet të them këtu, koha ka kaluar, sigurisht, megjithatë vijmë më të vendosur se kurrë. Dy mbledhje janë bërë dy ditët e fundit nga forumet e PD, kryesia e saj dhe grupi parlamentar. Kanë dalë me një vendim solemn. T’i përvishemi gjer në fitore. Kanë dalë me një vendim solemn, se rrugë tjetër përveç protestës, përveç përballjes, përveç kacafytjes me të, nuk ka dhe nuk do ketë.
Miq, dhe për të gjithë shqiptarët, i ftoj të arsyetojnë, votën ua shkelmon. Duke u shkelmuar votën, i poshtëron. Shkelmon lirinë e tyre. Për t’u blerë votën në zgjedhjet e fundit u fali 2 miliardë euro 83 mijë bizneseve, në një kohë kur 760 mijë pensionistë nuk blejnë dot ilaçet, nuk sigurojnë dot kafshatën e muajit. Votën e rrëmbeu me banditë të administratës, amoralë që shndërrojnë misionin e tyre, detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve, në plaçkitës dhe grabitës së votës së tyre.
Votën e grabiti me banda, me banditë, me kriminelë, me kartelet e drogës.
Por, në dallim me çdo herë tjetër nga viti 2001 gjer sot, e kapëm për fyti, u faktuam shqiptarëve dhe botës se ky është armik i votës së lirë të shqiptarëve, armik i demokracisë së shqiptarëve. Në të drejtën tonë, në të drejtën e Zotit, në guximin tonë, ne nuk duhet t’i ndahemi asnjë minutë gjersa të largojmë nga skena këtë kriminel të votës së lirë. Miq, të harrojmë çdo gjë që ka ndodhur në 12 vite. Le t’i harrojmë të gjitha. Të marrim vetëm 10 ditët e fundit. Çfarë ndodh?
Së bashku me zëvendëskryeministren, të kapur në flagrancë, me dokumente, me mesazhe të tyre, se vetëm në një tender në tunelin e Llogarasë kanë vjedhur 50 milionë euro. Në çdo vend të botës, dorëheqja është akti i parë i njerëzve të përgjegjshëm. Dhe ky, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen vetë, jo vetëm që nuk shkarkon bashkëvjedhësen e vet, por çfarë bëri? Me urdhër, mori nga Gjykata Kushtetuese licencën për të vjedhur publikisht pa asnjë përgjegjësi para ligjit, para drejtësisë, para shqiptarëve. A mund të pranojmë ne një kryeministër të tillë?
Jo, kurrë. Cilido të jetë çmimi, ne do e paguajmë. Ne një kryeministër të tillë nuk e pranojmë kurrë. Pra, ky hajdut, që çdo tullë të sarajeve të tij, i ka djersën, mundin e taksapaguesve shqiptarë, para të vjedhura nga paratë e tyre. Ky hajdut që vetëm në 2 vite ka bërë 140 fluturime, duke transportuar privatisht para të vjedhura dhe drogë, në gropa të zeza, që nuk i di kush se ku janë. Ky hajdut që lë të sëmurët pa ilaçe të vdesin në mëshirën e fatit dhe thotë që janë shumë dhe s’kam ç’u bëj.
Ky hajdut, që vetëm aty në oborr, ka Kopshtin e Edenit, me vlerë 4.2 milionë euro me peshq ekzotikë, ndërkohë që fëmijët tanë mbushin rrugët e Europës dhe botës. Ky hajdut rri këtu për shkakun tonë. Por kjo merr fund. Ky hajdut rri këtu sepse nuk i kemi treguar ne forcën tonë. Ne do ia tregojmë atij. Dhe unë u jap ju fjalën se atë që ka përjetuar në vitin 1991, tek ikte me autoblinda nga Blloku në tunelet e Enver Hoxhës, do t’ia provojmë së shpejti. Po, po
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






