

Berisha përshëndeti sot protestuesit e partisë ‘Shqipëria Bëhet’ dhe tha se "kur ne të zëmë këtë shesh me betimin se nuk do e lëshojmë pa largimin e Ramës, ai do ia mbathë".
Lëvdatat ndaj Lapajt dhe mbështetësve të tij, Berisha i bëri pak minuta pasi kreu i partisë Shqipëria Bëhet, me të nisur protesta e PD u largua nga pjesa ku ishte vendosur prej ditësh, pranë Kryeministrisë dhe u zhvendos te trotuari pranë Kryesisë së Kuvendit.
"Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Vetëm një moment, shikoni se ç’bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile. Adriatiku vë një karrige aty, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë, me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, u heqin tavolinat, u heqin ujin me akte banditeske.
Pse kjo? Sepse ai është kryefrikacaku i kombit. Kryehajduti është edhe kryefrikacaku i kombit. Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë, se e lejojmë ne. U jap ju fjalën e nderit, se kur ta zëmë në këtë shesh, me betimin se nuk e lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë. Po, po miq", tha Berisha.
Ai shpalli sonte nga bulevardi qendror i Tiranës se po nisin një revansh protestash që tha se do të mbyllen vetëm pasi Rama të lërë pushtetin. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






