Transmetuar më 15-12-2025, 18:57

Gjykata Kushtetuese njoftoi të hënën organizatat e medias se me kërkesë të qeverisë kishte vendosur të shtynte në fillim të shkurtit seancën e caktuar për të martën, ku do të shqyrtohej në themel padia e tyre kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për pezullimin e platformës sociale Tik-Tok në territorin e Shqipërisë.

“Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 15.12.2025, pasi mori në shqyrtim kërkesën për shtyrjen e seancës plenare publike, të paraqitur nga subjekti i interesuara Këshilli i Ministrave, ka vendosur pranimin e kërkesës, si dhe shtyrjen e seancës plenare publike për në datën 05.02.2026”, njoftoi kjo gjykatë.

Por data e seancës e caktuar nga GJK është shumë afër afatit të caktuar nga qeveria për pezullimin për një vit të përdorimit të kësaj platforme sociale, duke e bërë vendimmarrje, sipas organizatave, pothuaj të pavlefshëm

“Është tërësisht praktikë e paprecedentë nga ana e Këshillit të Ministrave një kërkesë e tillë. Kjo gjë në vetvete synon të “fusë në kurthë” Gjykatën në mënyrë që të afrohet sa më shumë afati zyrtar për rihapjen e TikTok”- i tha BIRN-it, Isa Myzyraj, kryetar I Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Myzyraj e quan vendimin e GJK-së “të çuditshëm” dhe të ngjashëm me mënyrën e funksionimit të gjykata të shkallës së parë, ku seancat shtyhen pafundësisht për “tekat” e palëve.

“Gjykata duhet ta shqyrtonte me përparësi sepse pretendimet kryesore janë pikërisht që është duke u shkelur e drejta e lirisë së shprehjes, por qartazi Gjykata po jep shembull negativ duke mos e shqyrtuar jo vetëm me përparësi, por edhe duke e shtyrë sepse ‘kërkon’ Këshillit i Ministrave”- thekson ai.

Edhe avokati i palës paditëse, Franc Terihati, e quan të paprecedentë shtyrjen aq të gjatë të seancës së shqyrtimit të çështjes, ndërkohë që sipas ligjit kjo gjykatë duhej të shprehej për çështjen brenda 3 muajsh.

“Padia jonë është bërë që në mars dhe nga momenti kur Kolegji i Gjyqtarëve vendosi të mos pranojë kërkesën për pezullimin e VKM-së nuk kemi asnjë veprim nga gjykata”.

Sipas tij, pavarësisht se kërkesa e Këshillit të Ministrave për shtyrje është juridikisht në rregull duket se ka një tentativë për zvarritje të procesit prej tyre.

Organizatat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në vend dhe ato ndërkombëtare janë shprehur kritike ndaj vendimit të qeverisë duke e parë si precedent për akte të tjera të censurës në një vend me një qeveri autokratike.

Qeveria vendosi në 6 mars, 2025, për mbylljen e platformës për shkak të efektit të pretenduar negativ mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Vendimi u pasua me një kërkesë të Autoritetit të Komunikimeve Postare Elektronike (AKEP) për kompanitë që ofrojnë shërbimeve interneti në vend që të bllokojnë qasjen ne aplikacionin e Tik Tok në Shqipëri.

TikTok është një platformë e mediave sociale e fokusuar te videot e shkurtra. Ajo u krijua nga kompania kineze ByteDance dhe lejon përdoruesit të krijojnë, montojnë dhe ndajnë video të shkurtra me efekte speciale, muzikë dhe filtra të ndryshëm./ BIRN

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit