

Autoritetet italiane kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor, duke ndaluar gjithsej 24 persona, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar 36 vjeç. Të ndaluarit dyshohen për përfshirje në një rrjet të strukturuar që merrej me qarkullimin, mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa zona të Italisë.
Sipas vendimeve të gjykatës, 19 persona janë dërguar në paraburgim, ndërsa 5 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak, nën monitorim me byzylykë elektronikë. Hetimet nisën pas vëzhgimit të gjatë të 36-vjeçarit shqiptar, i cili rezulton me precedentë penalë dhe që, sipas hetuesve, dyshohet të ketë pasur një rol kyç në organizimin dhe funksionimin e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në zonën e Foggia-s.
Mediat italiane raportojnë se shqiptari kishte krijuar një bazë operative në qytet dhe dyshohet se koordinonte blerjen me shumicë të lëndës narkotike, e cila futhej në Itali përmes kanaleve të bashkëkombësve të vendosur në pjesën veriore të vendit.
Në aktivitetin e dyshuar janë përfshirë shtetas italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë, të moshave nga 23 deri në 61 vjeç. Rrjeti ishte aktiv jo vetëm në provincën e Foggia-s, por edhe në zona të tjera si Rieti, Emilia Romagna dhe Molise e Poshtme.
Fitime të konsiderueshme mujore Sipas të dhënave të hetimit, grupi kriminal arrinte të fuste çdo muaj nga 5 deri në 10 kilogramë kokainë vetëm në provincën e Foggia-s. Lënda narkotike blihej me një çmim mbi 22 euro për gram dhe më pas shpërndahej në treg për shuma që varionin nga 30 deri në 50 euro për gram, në varësi të sasisë së kërkuar.
Bazuar në këto shifra, fitimet mujore të organizatës përllogariten rreth 200 mijë euro. Hetimet zbuluan gjithashtu se bëhej fjalë për një substancë me cilësi shumë të lartë. Gjatë një sekuestrimi prej 2 kilogramësh kokainë, analizat laboratorike të kryera nga karabinierët treguan se substanca ishte 96 për qind e pastër dhe dyshohet të kishte origjinë nga Bolivia.
Depo të sigurta dhe rrjet paralel në Veri
Të dyshuarit përdornin ambiente të veçanta dhe të ruajtura për magazinimin dhe paketimin e drogës, e cila në shumicën e rasteve shpërndahej pa u përzier apo modifikuar.
Gjithashtu, ndjekja e vazhdueshme e korrierëve çoi në identifikimin e shtatë personave të tjerë që banonin në provincën e Parmës. Këta individë dyshohet se kishin ngritur një rrjet paralel dhe të pavarur të shpërndarjes së drogës, me një volum edhe më të madh aktiviteti.
Për t’iu shmangur kontrolleve, personat e përfshirë përdornin metoda të avancuara, përfshirë fshehjen e lëndës narkotike në automjete me hapësira të modifikuara dhe komunikimin përmes pajisjeve të koduara.
Hetimet janë përqendruar edhe te mënyra e transferimit të të ardhurave financiare drejt Shqipërisë. Dyshohet se paratë transportoheshin përmes shoferëve të autobusëve dhe kamionëve që operonin në linja të rregullta.
Në janar, gjatë një prej këtyre transferimeve, karabinierët sekuestruan 40 mijë euro para në një zonë pushimi përgjatë autostradës SS 16. Paralelisht me ekzekutimin e masave të sigurisë, autoritetet lëshuan edhe nëntë urdhra për seanca paraprake dëgjimore ndaj nëntë personave të tjerë nën hetim për të njëjtat vepra penale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






