Transmetuar më 15-12-2025, 14:42

Rasti i vetëm në histori i një njeriu që është regjistruar si xhuxh dhe më vonë si gjigant

Kur Adam Rainer erdhi në jetë në vitin 1899, në Graz të Austrisë, prindërit e tij nuk kishin asnjë arsye të dyshonin se fëmija i tyre do të bëhej një nga rastet më të pazakonta të mjekësisë moderne. Foshnja dukej e shëndetshme dhe asgjë nuk paralajmëronte se jeta e tij do të shndërrohej në një betejë të vazhdueshme me trupin e vet.

Fëmijëri e brishtë dhe zhvillim i pazakontë

Gjatë viteve të para, e vetmja gjë që shqetësonte ishte shtati i tij jashtëzakonisht i vogël. Adam ishte i dobët, i brishtë dhe nuk rritej me të njëjtin ritëm si bashkëmoshatarët e tij. Në atë periudhë nuk ekzistonin grafiqe zhvillimi apo njohuri të mjaftueshme për diagnoza të hershme, ndaj askush nuk e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte.

Kur kaloi moshën e adoleshencës, situata u bë e qartë. Në moshën 18-vjeçare, Adam Rainer kishte një gjatësi trupore vetëm 1,22 metra. Mjekët e asaj kohe e diagnostikuan me nanizëm, ndonëse prindërit e tij kishin gjatësi mesatare.

Nga xhuxh në rritje të pakontrolluar

Askush nuk mund ta parashikonte atë që do të ndodhte më pas. Rreth pesëmbëdhjetë vite më vonë, Adam kishte arritur një gjatësi mbi 2,15 metra dhe vazhdonte të rritej.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u përpoq të rekrutohej në ushtri, por u refuzua menjëherë për shkak të gjatësisë së tij. Kufiri minimal për shërbim ushtarak ishte 1,47 m, shumë më i lartë se shtati i tij në atë kohë.

Megjithatë, edhe atëherë kishte diçka të pazakontë: duart dhe këmbët e tij ishin shumë më të mëdha se sa do të pritej për një person me nanizëm. Ai mbante këpucë me numër 43, një detaj që i habiste mjekët.

Rritje e pabesueshme në moshë madhore

Deri në moshën 21-vjeçare, Adam konsiderohej ende xhuxh. Por rreth vitit 1920 ndodhi e paimagjinueshmja: trupi i tij filloi të rritej me ritme ekstreme. Në një moshë kur shumica e njerëzve ndalojnë së zhvilluari, ai fitonte centimetra çdo vit.

Deri në vitin 1932, në moshën 33-vjeçare, kishte arritur 2,18 metra. Këmbët e tij u rritën aq shpejt, sa brenda vetëm tre vitesh numri i këpucës kaloi nga 43 në 57,5.

Diagnoza: tumor dhe akromegali

Dy mjekë, Mandl dhe Windholz, nisën të studionin seriozisht rastin e tij. Ata arritën në përfundimin se Adam Rainer vuante nga një tumor në hipofizë, i cili shkaktoi një formë ekstreme të akromegalisë – një sëmundje që çon në prodhim të tepruar të hormonit të rritjes.

Si pasojë, fytyra e tij filloi të deformohej: nofulla dhe vetullat u bënë gjithnjë e më të theksuara, gjuha u zmadhua dhe ai kishte vështirësi edhe për të përtypur ushqimin. Lodhia e vazhdueshme ishte një tjetër simptomë e rëndë.

Një jetë e mbushur me dhimbje

Problemet shëndetësore u shtuan. Në moshën 26-vjeçare filloi të humbiste dëgjimin. Shtylla kurrizore u dëmtua rëndë nga rritja e vazhdueshme, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha dhe deformime.

Tumori në hipofizë ishte rritur për më shumë se dhjetë vjet dhe mjekët vendosën se duhej hequr kirurgjikisht. Më 2 dhjetor 1930, në moshën 31-vjeçare, Adam iu nënshtrua një ndërhyrjeje shumë të rrezikshme për standardet e kohës, por operacioni rezultoi i suksesshëm.

Fillimisht, duket se rritja e tij ishte ndalur. Megjithatë, shpresat nuk zgjatën shumë. Shtylla kurrizore vazhdonte të përkeqësohej, shenjë se trupi i tij ende rritej, ndonëse më ngadalë. Më pas filloi humbja e shikimit në njërin sy dhe Adam u tërhoq gradualisht nga jeta sociale.

Vitet e fundit i kaloi në një institucion për të moshuar, ku përshkruhej si një njeri i përmbajtur, i sjellshëm dhe shumë i respektueshëm me të gjithë.

Fundi i një rasti unik

Adam Rainer u nda nga jeta në moshën 51-vjeçare, pas komplikacioneve nga një ndërhyrje kirurgjikale për perforim të zorrës së trashë dhe infeksion të rëndë abdominal.

Në momentin e vdekjes, gjatësia e tij ishte 2,34 metra, megjithëse disa burime flasin për 2,39 metra. Deri më sot, ai mbetet i vetmi njeri në histori që është klasifikuar zyrtarisht si xhuxh dhe gjigant.

Një rast unik që vazhdon të studiohet dhe të mahnisë mjekësinë edhe sot. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit