Transmetuar më 15-12-2025, 12:36

15 Dhjetor 2025

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur lirimin me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dy të rinjtë, Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të dyshuar si organizatorët kryesorë të një rrahjeje masive mes adoleshentësh pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër.

Ngjarja përfshiu rreth 15 të rinj, të ndarë në dy grupe, shumica 17–18 vjeç, të cilët u përfshinë fillimisht në konflikt fizik dhe më pas përdorën sende të forta. Gjatë përleshjes u përdor edhe një armë e ftohtë, ndërsa tre adoleshentë mbetën të plagosur lehtë dhe u transportuan në spital, ku marrën ndihmën mjekësore dhe tani janë jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet tregojnë se konflikti mund të ketë zanafillë nga një përplasje e mëparshme mes nxënësve. Doronesto Kulla dyshohet se ka ndërhyrë për të mbrojtur vëllain e tij 17-vjeçar, duke u përfshirë në përleshje me persona të tjerë. Pamjet filmike tregojnë momentin e bashkimit të dy grupeve dhe fillimin e përplasjes, e cila zgjati rreth një minutë para ndërhyrjes së policisë.

Forcat e Policisë së Shkodrës dhe njësia “Shqiponja” ndërhynë menjëherë, sekuestruan kamerat e sigurisë dhe nisën hetimet. Për pesë shtetas të mitur (katër 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar) u nis procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa një prej tyre u referua për posedim lënde narkotike. Hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e të tjerëve të përfshirë vijojnë, ndërsa motivet e rrahjes mbeten ende të paqarta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit