

Tiranë, 15 Dhjetor 2025 – Juristi Ylli Manjani ka kritikuar ashpër reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një gabim themelor kushtetues ngrirjen e përhershme të gjykatave dhe prokurorisë së posaçme.
Sipas tij, përfshirja e strukturave të posaçme në Kushtetutë dhe përdorimi i koncepteve si “korrupsioni” dhe “krimi i organizuar” kanë krijuar një gjendje emergjence të përhershme dhe kanë cenuar parimet e procesit të rregullt ligjor.
Manjani thekson se kjo qasje nuk është në përputhje me standardet europiane të sundimit të ligjit dhe kërkon rishikim, madje edhe rishkrim të Kushtetutës, për t’i kthyer drejtësinë shqiptare normalitetit kushtetues.
“Duhet pranuar gabimi amatoresk dhe duhet kthyer situata në normalitet me abrogimin kushtetues të të gjitha atyre parashikimeve, që të posaçmen e bëjnë të përhershme. E posaçmja mbetet e tillë me një ligj të posaçëm dhe gjithmonë me afat,” shkruan Manjani.
Ai shton se gjykatat dhe gjykimet e posaçme janë qendra dënimi me vdekje, pa prova dhe pa proces të rregullt, ndërsa ligji që i rregullon ato është vetëm një legalizim i ndëshkimit pa fakte.
Manjani thekson se një reformë reale fillon me rishikimin ose rishkrimin e Kushtetutës dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar procese të rregullta dhe sundim të drejtësisë.
Nuk kemi pse ti vijmë vërdallë fare këtij muhabeti.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






