

15 Dhjetor 2025, 09:05
Australia është në zi kombëtare pas një sulmi të rëndë të ndodhur në Sydney, ku 15 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi në një zonë publike të frekuentuar, ku ndodheshin qindra qytetarë.
Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet australiane po hetojnë ngjarjen si një akt të mundshëm terrorist. Burime zyrtare bëjnë me dije se një nga personat e dyshuar, 24 vjeç, kishte qenë më herët nën vëzhgim nga agjencia australiane e kundërzbulimit, për shkak të kontakteve të dyshuara me persona të radikalizuar.
Policia konfirmoi se dy persona janë përfshirë në sulm. Njëri prej tyre u neutralizua gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ndërsa tjetri ndodhet i shtruar në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat, motivet dhe lidhjet e mundshme të autorëve. Kryeministri australian ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se siguria kombëtare mbetet prioritet.
Më shumë detaje priten të bëhen publike pas përfundimit të fazës së parë të hetimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






