

Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “STORM”. Kjo ishte faza e 12-të, dhe sot janë vënë në pranga dy femra kolumbiane, të cilat u kapën në zonën e Vollgës, Durrës.
Dy shtetaset kolumbiane kishin marrë një apartament me qira në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, dhe e shfrytëzonin për prostitucion.
Por policia nuk është mjaftuar me kaq sepse ka proceduar penalisht edhe 6 shtetas shqiptarë për prostitucion.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 1, rruga “Taulantia”, zona e Vollgës, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetaset J. C., 23 vjeçe, dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi.
Gjithashtu, gjatë operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare me vlerë totale 15 093 euro, të transferuara familjarëve në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






