

Tiranë, 15 dhjetor 2025 Ryshfeti në marrëdhëniet mes bizneseve dhe administratës publike në Shqipëri po shënon një rritje të fortë, sipas të dhënave më të fundit të Barometrit të Ballkanit 2025. Studimi tregon se 50% e bizneseve shqiptare e konsiderojnë pagesën e ryshfetit si një praktikë të zakonshme për të përfunduar punët me zyrtarët, një rritje prej 9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024.
Një vit më parë, rreth 41% e bizneseve shpreheshin se “priren të pajtohen” ose ishin “plotësisht dakord” me pohimin se pagesat apo dhuratat shtesë ndaj administratës janë të zakonshme. Në vitin 2025, kjo përqindje është rritur ndjeshëm, duke sinjalizuar përkeqësim të perceptimit të klimës së korrupsionit, pavarësisht kalimit të një pjese të madhe të shërbimeve në platforma online.
Raporti vëren gjithashtu një rënie të ndjeshme të bizneseve që shprehen kundër normalizimit të ryshfetit. Krahasuar me vitin 2024, në 2025 është ulur pesha e atyre që deklarojnë se “nuk janë aspak dakord” apo që “kanë tendencë të mos jenë dakord”, çka tregon dobësim të rezistencës ndaj kësaj praktike.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria shfaq një përkeqësim më të theksuar. Në nivel ballkanik, përqindja e bizneseve që e perceptojnë ryshfetin si praktikë të zakonshme u rrit nga 41% në 2024 në 47% në 2025, pra me rreth 6 pikë përqindje. Në Shqipëri, rritja është më e fortë, me 9 pikë përqindje.
Sipas të dhënave të Barometrit, Bosnja dhe Hercegovina kryeson rajonin me 67% të bizneseve që e shohin ryshfetin si mekanizëm funksional në raport me administratën, e ndjekur nga Mali i Zi me 59% dhe Shqipëria me 50%. Niveli më i ulët i perceptimit regjistrohet në Serbi, me rreth 30%.
Ekspertët theksojnë se rritja e perceptimit të ryshfetit në Shqipëri lidhet ngushtë me barrën administrative, procedurat e gjata, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe interpretimin e paunifikuar të rregullave. Këta faktorë krijojnë hapësirë për negocim informal, ku pagesat e parregullta shihen nga bizneset si mënyrë për të përshpejtuar proceset ose për të shmangur penalizime, citon Monitor.
Sipas raportit, bizneset që operojnë në mënyrë formale ndihen më të ekspozuara ndaj kontrolleve dhe gjobave, ndërsa informaliteti shpesh tolerohet në mënyrë selektive, duke forcuar perceptimin se ryshfeti mbetet pjesë funksionale e sistemit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






