

AUSTRALI- Ministri i Shëndetësisë i Uellsit të Ri Jugor, Ryan Park ka njoftuar se është rritur numri i viktimave, duke shkuar në 16 nga të shtënat me armë në plazhin Bondi, në Sidney, mes të cilëve edhe një fëmijë. Aktualisht nuk është e qartë nëse bilanci i përditësuar i viktimave përfshin ndonjërin nga personat e armatosur, pasi më herët, policia kishte konfirmuar se një nga sulmuesit e dyshuar ishte vrarë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike.
Sulmi ndodhi në kohën kur në zonë po zhvillohej një aktivitet për fillimin e festës hebraike Hanuka, ndërsa policia konfirmon se ngjarja po trajtohet si një akt terrorist. Sipas Ryan Park, i cili foli për televizionin publik ABC, numri i viktimave është rritur në 16, megjithatë ende nuk është e qartë nëse ky bilanc përfshin ndonjërin nga autorët e dyshuar. Ministri i Shëndetësisë shtoi gjithashtu se katër fëmijë u dërguan në spital pas sulmit në Bondi Beach, disa prej të cilëve janë në gjendje “shumë serioze”.
“Shpresojmë dhe lutemi që këta njerëz t’ia dalin në orët në vijim”, deklaroi Ryan Park për ABC News.
Gjithashtu policia e Uellsit të Ri Jugor konfirmoi se rreth 40 të tjerë mbeten të shtruar në spital pas të shtënave të së dielës në plazhin Bondi. Autoritetet thanë se më shumë informacion do të bëhet publik në vijim
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






