

Berlin- Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një fjalim të mbajtur në Kongresin e Unionit Kristano-Social (CSU), paralajmëroi fundin e “Pax Americana”, asaj që cilësohet si mbrojtja e SHBA-ve ndaj Europës, duke i kërkuar kombeve europiane të përgatiten për ndryshimin e lidhjeve transatlantike dhe të forcojnë mbrojtjen në mënyrë të pavarur.
“Dekadat e Pax Americana për Europën dhe Gjermaninë në masë të madhe kanë mbaruar për ne. Ajo nuk ekziston më ashtu siç e kemi njohur. Nostalgjia nuk do të na ndihmojë, dhe pse do të isha i fundit që do t’i dorëzohesha kësaj nostalgjie. Ky është një realitet! Amerikanët tani po mbrojnë në mënyrë shumë të ashpër interesat e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse tani duhet të mbrojmë interesat tona”, tha Merz.
Ai paralajmëroi evropianët se prioritetet strategjike të Washingtonit kanë ndryshuar prej vitesh.
“Trump nuk u shfaq brenda natës dhe as politika amerikane nuk do të ndryshojë brenda natës. ‘Pax Americana’, që nënkupton paqen afatgjatë, është rendi i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara garantonin sigurinë europiane.”
Merz u shpreh gjithashtu kundër lëshimeve të tepërta ndaj Moskës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, duke argumentuar se kjo vetëm do të forconte ambiciet e Kremlinit.
Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë, duke paralajmëruar për përpjekjet për të rivizatuar kufijtë e Evropës dhe për të rivendosur kontrollin mbi ish-territoret sovjetike, duke paraqitur kërcënime afatgjata për sigurinë evropiane.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






