Transmetuar më 14-12-2025, 22:25

Washington- Presidenti Donald Trump po përpiqet ta bindë Ukrainën që të pranojë kushtet e planit për paqe dhe synon që një marrëveshje parimore të arrihet deri në Krishtlindje. Pakënaqësia e tij është e dukshme, jo vetëm ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, por edhe ndaj vendeve evropiane, për të cilat thotë se “flasin shumë dhe japin pak rezultate”.

Megjithatë, Trump ka edhe çështje të tjera të rëndësishme për t’u përballur.

Ditët e fundit, ai dhe zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, janë pyetur për luftën në Ukrainë, por vëmendja e gazetarëve amerikanë ka qenë kryesisht te ekonomia dhe situata në Venezuelë.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po punojmë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, ka deklaruar Trump. Ai ka pranuar gjithashtu se procesi është i ndërlikuar, pasi përfshin disa palë dhe çështje të vështira për ndarjen e territorit.

Së fundmi, vëmendja është zhvendosur edhe te Siria.

Sipas ish-diplomatit amerikan Richard Haass, mbetet e paqartë se çfarë vendimesh do të marrë Trump nëse përpjekjet për zgjidhje me rrugë paqësore vazhdojnë të dështojnë.

I dërguari i posaçëm i Trump-it, Steve Ëitkoff, së bashku me dhëndrin e tij, Jared Kushner, pritet të takojnë nesër, 15 dhjetor, në Berlin udhëheqësit evropianë dhe presidentin Zelensky.

Sipas burimeve, dy të dërguarit i kanë raportuar Trump-it se disa prej çështjeve janë më afër zgjidhjes dhe se deklaratat e fundit të Zelensky-t tregojnë gatishmëri për të pyetur qytetarët përmes një referendumi mbi një marrëveshje paqeje, e cila do të përfshinte edhe heqjen dorë nga disa territore.

Një burim nga Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump beson se ekziston një mundësi reale për paqe dhe se u beson njerëzve që ka dërguar për bisedime. Edhe pas paraqitjes së një plani fillestar me 28 pika, Trump ka treguar se e mbështet çdo përpjekje që synon arritjen e një marrëveshjeje.

Zelensky ka deklaruar se Rusia kërkon të marrë të gjithë rajonin e Donbasit, gjë që Ukraina nuk e pranon.

Sipas tij, populli ukrainas duhet të vendosë vetë për këtë çështje, qoftë përmes zgjedhjeve apo një referendumi. Ndërkohë, shumica e ukrainasve vazhdojnë të jenë kundër dorëzimit të Donbasit.

Megjithatë, Trump ka pohuar se një sondazh tregon se shumica e ukrainasve dëshirojnë përfundimin e luftës, pasi çdo javë humben mijëra jetë njerëzish. Në deklarata të tjera, Trump ka sugjeruar se Ukraina mund të humbasë së shpejti pjesën e Donbasit që ende kontrollon dhe ka theksuar se pengesa kryesore për një marrëveshje është vetë Zelensky, ndërsa rrethi i tij i afërt, sipas Trumpit, është më i hapur ndaj propozimit.

Trump dëshiron të mbahet mend si presidenti që i dha fund luftës në Ukrainë, si pjesë e trashëgimisë së tij politike. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij shohin gjithashtu mundësi për përfitime ekonomike që lidhen me rindërtimin pas luftës.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka folur për pakënaqësinë e Trumpit për kohën e gjatë të shpenzuar në bisedime me Ukrainën, Rusinë dhe vendet evropiane. Ajo ka theksuar se qeveria amerikane ka kaluar shumë orë në këto përpjekje, ndërkohë që presidenti po përballet me kritika të forta brenda vendit për ekonominë dhe shëndetësinë.

Rezultatet e disa zgjedhjeve vendore në Shtetet e Bashkuara kanë shtuar shqetësimet brenda Partisë Republikane, në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në vitin 2026.

Trump është i pakënaqur edhe me kundërshtimet brenda partisë së tij për ndryshimin e zonave zgjedhore. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e tij kërkojnë që ai të përqendrohet më shumë te ekonomia dhe çështjet e brendshme, sesa te konfliktet jashtë vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit