Transmetuar më 14-12-2025, 21:38

Tiranë – Ajo që jashtë kamerave është thënë nga vetë policët rrugorë, se krerët e tyre u japin blloqe gjobash që duhen mbaruar brenda ditës, është thënë sot edhe publikisht në media.

Kreu i Sindikatës së Policëve, Sadedin Fishta, ka bërë një denoncim publik duke ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si, sipas tij, po ushtrohet presion ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit për vendosjen e masave administrative ndaj qytetarëve.

Gjatë një interviste në Vizion Plus, Fishta deklaroi se sindikata ka marrë ankesa të shumta nga efektivë të Policisë Rrugore dhe të Rendit Publik, të cilët pretendojnë se u kërkohet nga eprorët të vendosin sa më shumë gjoba, madje duke u caktuar edhe një numër i përcaktuar mujor.

“Është një situatë shqetësuese. Na kanë ardhur ankesa se punonjësve u kërkohet të arrijnë një limit masash administrative brenda muajit. Në rast se nuk e realizojnë këtë, ata përballen me paralajmërime për transferim apo ulje në detyrë”, u shpreh Fishta.

Sipas tij, një praktikë e tillë bie ndesh me parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit, pasi vendosja e gjobave nuk mund të funksionojë mbi bazën e objektivave numerikë, por vetëm mbi shkeljet reale të konstatuara në terren.

Kreu i Sindikatës së Policëve i bëri thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që të shmangin çdo formë presioni ndaj punonjësve, duke theksuar se sindikata do të ndjekë edhe rrugët ligjore nëse raste të tilla do të vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit