

A pati pazar Rama–Berisha? Shitje? Tradhti? Është pak e besueshme që kryetari i PD bëri pazar me Kryeministrin për Avokatin e Popullit. Kur opozita e kuptoi lojën, ishte pak vonë. Ishte një hile, nga ato që Rama jo vetëm i bën, por edhe i shijon
Nga Lutfi Dervishi
Marrëveshja për Avokatin e Popullit, në traditë, është një kandidaturë e propozuar nga opozita. Por tradita ka edhe një kusht: kandidati duhet të pranohet nga shumica, sepse ajo i ka votat. Dhe në finale nuk zgjidhet avokati i opozitës, por Avokati i Popullit.
Votat e disa deputetëve të PD -së për të mbështetur futjen në garë të 6 kandidatëve, mes tyre dhe Shabanit, kanë eklipsuar si ngjarjet kryesore (çështja Balluku) ashtu edhe lëvizjet në parti (Salianji). Fjalët kyçe tani janë: gabim dhe ndjesë.
Çfarë mund të bënte më mirë opozita? Disiplinë. Të paraqiste vetëm një kandidat shumë të mirë, jo partiak, dhe ta linte shumicën të mbante përgjegjësinë politike të refuzimit. Ose ta niste procesin nga figura me kontribut të padiskutueshëm për PD, si rasti i zonjës Kalaja apo të mbështeste vetëm zotin Ndregjoni që paraqiti si kandidat në legjislaturën e kaluar.
Çfarë ndodhi realisht? Opozita hyri në proces pa sinjal se do të mbështetej një kandidat i saj. Deputetët opozitarë mbështetën disa kandidatë për fazën e dëgjesave, duke i dhënë PS-se alibinë perfekte.
Shumica nuk firmosi për asnjë kandidat? ("Ne nuk kemi kandidatë") dhe teknikisht nuk bëri faull, por hile!
A pati pazar Rama–Berisha? Shitje? Tradhti? Është pak e besueshme që kryetari i PD bëri pazar me Kryeministrin për Avokatin e Popullit.
Kur opozita e kuptoi lojën, ishte pak vonë. Ishte një hile, nga ato që Rama jo vetëm i bën, por edhe i shijon.
Dhe si shpeshherë, vitet e fundit opozita nuk humbi rastin për të dëmtuar veten dhe për të dhënë ushqim për akuzën: "këta janë bashkë".
Ndërsa shumica ecën me ritmin e vet sipas parullës bolshevike: "i gjithë pushteti sovjetëve", forca kryesore e opozitës duhet të nxjerrë mësime që të mos bëjë autogola!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






