Transmetuar më 14-12-2025, 21:16

Si sot 4 vite më parë, ai arriti t’i sjellë vendit tonë edhe medaljen botërore

Briken Calja është një ndër emrat e fundit dhe padyshim më i suksesshmi në historinë e peshëngritjes shqiptare, me rreth 40 medalje ndërkombëtare, 3 të arta, dhe 3 rekorde që, pak ditë më parë në kampionatin ballkanik, ishin si qershia mbi tortë për të, në moshën 35-vjeçare, ndërkohë që, si sot 4 vite më parë, ai arriti t’i sjellë vendit tonë edhe medaljen botërore.

“Sot janë 4 vite pas shpalljes kampion bote, por ajo ishte një periudhë e artë. Kjo është një datë historike dhe do të mbetet një trashëgimi e sportit për të ardhmen, por kjo karrierë normalisht do të ketë një fund, dhe besoj së shpejti”, thotë Calja në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa.

I lindur në vitin 1990, Calja në vitin 2026 duket se do të ketë sprintin final të kësaj karriere brilante.

“Mendoj që viti 2026 do të jetë fundi i karrierës sime…”

Një fund me një miks ndjenjash, mes këtyre arritjeve kaq të larta, edhe pse në një moshë të avancuar, por që në aspektin njerëzor, ai humbi një nga njerëzit më të shtrenjtë, nënën, e cila ishte forca e tij në çdo garë.

“Ka qenë një ndër vitet më të vështira nga ana njerëzore, pasi përpara dy muajsh unë humba nënën, dhe ishte një sfidë më vete, por ishte shtysa për ta çuar në fund synimin që kisha, por edhe për të përmbushur amanetin e saj”, shprehet shtangisti.

Por rrugëtimi i Brikenit nuk ka qenë i vetëm. Trajneri dhe miku i tij më i ngushtë, Gerald Toska, tregon për të ardhmen e tyre, atë që së bashku, duket se do të nisin vitin e ardhshëm: “Këtu përflitet të bëhet një palestër e madhe, dhe ne e kemi marrë me shumë entuziazëm për të krijuar një ekip në zonën e Cërrikut. Shpresojmë të grumbullojmë sa më shumë fëmijë, për të mos e mbyllur vetëm me Briken Caljën.”

Pika e dobët e këtij sporti dhe dyshimet mbeten gjithmonë tek dopingu, por Calja dhe trajneri kanë treguar se edhe pa të mund të jesh më i miri.

“Thjesht është psikologjike çështja e dopingut; sportistët, po të kenë vullnet dhe disiplinë, arrijnë çdo gjë”, shton Toska.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit