Transmetuar më 14-12-2025, 16:17

Tiranë – 14 dhjetor 2025 – Kryeministri Edi Rama, duke komentuar rikthimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rrëfeu në podkastin e tij “Flasim” një episod që, sipas tij, lidhet me sjelljen e punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Rama pretendoi se hetues të BKH-së ishin paraqitur në Kryeministri dhe nuk pranonin të dorëzonin armën e shërbimit sipas rregullores së sigurisë, duke shtuar se ka ardhur koha për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional mbi funksionimin e drejtësisë së re.

Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila sqaroi zyrtarisht situatën.

Sipas BKH-së, më 20 nëntor 2025, tre hetues janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që parashikonte masën e pezullimit nga detyra ndaj Belinda Ballukut. Në hyrje, ata janë informuar nga Garda e Republikës se nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.

“Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Pas verifikimit se ambienti ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, armët janë depozituar dhe veprimet procedurale kanë vijuar normalisht”, thuhet në reagimin e BKH-së.

Byroja thekson se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve dhe Gardës së Republikës, ndërsa rikujton se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit mbështetet në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

Reagimi i plotë i BKH-së

Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se, sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështetet te ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit