

Sydney- Një qytetar që u kthye në hero gjatë sulmit me armë zjarri në Bondi Beach në Sydney, u qëllua dhe ndodhet në spital në pritje të ndërhyrjes kirurgjikale, kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Pamje tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur burri i afrohet nga pas njërit prej autorëve të armatosur, i cili po qëllonte në drejtim të qytetarëve që po largoheshin me panik. Ai e rrëzon përdhe autorin dhe i rrëmben armën nga duart, duke ndalur përkohësisht sulmin.
Pasi e çarmatos, burri drejton armën nga sulmuesi, i cili zvarritet dhe largohet drejt një sulmuesi të dytë që vijonte të qëllonte mbi turmën.
Menjëherë pas kësaj, qytetari ngre duart lart për t’u identifikuar si i padëmshëm për forcat e policisë, vendos armën në tokë dhe largohet nga vendngjarja.
Duke folur për median australiane 7NEWS, një i afërm i tij, Mustafa, zbuloi se heroi është kushëriri i tij, Ahmed al Ahmed, 43 vjeç, baba i dy fëmijëve.
Sipas tij, Ahmed nuk kishte asnjë përvojë me armët e zjarrit dhe ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes kur vendosi të ndërhynte për të shpëtuar të tjerët.
Në kaosin e krijuar, ai u qëllua dy herë dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.
“Ai është në spital dhe ende nuk e dimë saktësisht gjendjen e tij. Shpresojmë që të jetë mirë. Ai është një hero, 100 për qind”, u shpreh Mustafa.
Sulmi në Bondi Beach ka shkaktuar 12 viktima dhe ka tronditur opinionin publik në Australi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






