Transmetuar më 14-12-2025, 15:38

“Skaner me sy?”/ Bashkëshortja u përfshi në aksident pranë Shënkollit, Kozak Braçi reagon ashpër ndaj trajtimit në spitalin e Lezhës

Një aksident rrugor është regjistruar ditën e djeshme pranë kryqëzimit të Shënkollit, ku u përplasën dy automjete. Mes personave të përfshirë ka qenë edhe Denisa Bajrami, e njohur në rrjetet sociale dhe bashkëshortja e influencerit Kozak Braçi.

Pas ngjarjes, Braçi ka reaguar publikisht përmes disa videove në Instagram, ku shpreh pakënaqësi të fortë ndaj shërbimit shëndetësor të ofruar në spitalin e Lezhës.

Sipas tij, një mjek ka hartuar dokumentacion mjekësor duke minimizuar gjendjen e bashkëshortes së tij, e cila ndodhet në muajin e tetë të shtatzënisë.

Influenceri pretendon se Denisa Bajrami është dërguar në spital me barrelë dhe se gjendja e saj dhe e foshnjës është serioze, ndërkohë që, sipas tij, mjeku nuk ka pranuar kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë skanerin, duke u justifikuar me shtatzëninë.

Në deklaratat e tij, Braçi thotë se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore dhe se nuk do të lejojë që, sipas tij, të manipulohen dokumentet mjekësore.

“Gruaja ime është në gjendje të rëndë bashkë me fëmijën që pritet të vijë në jetë për një muaj. Kanë bërë letra sikur s’ka asgjë. Këtë rast do ta ndjek deri në fund dhe askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë”, shprehet ai në një nga videot.

Në reagime të tjera, Braçi ironizon vendimin e mjekut për të mos kryer skanerin, duke e quajtur “skaner me sy”, dhe kërkon që autoritetet të ndërhyjnë për të verifikuar rastin dhe përgjegjësit.

Ai ka bërë të ditur se bashkëshortja e tij do të transferohet për ekzaminime të mëtejshme në Tiranë, ndërsa paralajmëron ndjekje penale për personat që, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me detyrën.

Lidhur me aksidentin, dje Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë tha se, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 19 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, pasi në aksin rrugor “Milot–Lezhë”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen D. B., 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e përplasjes, shtetasja D. B. ka mbetur e dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit