

Noka tallet me Salianjin pas përplasjes në selinë blu: Nga “shpëtimtar” i PD-së, te kërkesa për karrige
Pas mbledhjes me tensione të forta në selinë blu, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur Ervin Salianjit, duke e kthyer përplasjen në një mesazh publik tallës.
Në një postim në Facebook, Noka ironizon hapur ish-deputetin demokrat, duke shkruar se Salianji “e nisi me bujë si ‘shpëtimtar’ i PD-së”, por brenda pak javësh, sipas tij, u katandis në kërkesa për poste dhe karrige.
"E nisi me bujë si “shpëtimtar“ i PD-së, por pa u bërë tre javë e katandisi te kërkesa për një karrige😂".
Mesazhi i Nokës shihet si një goditje direkte ndaj ambicieve të Salianjit dhe lëvizjes së tij të fundit brenda partisë.
Përplasja mes tyre shpërtheu gjatë mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura, pas largimit të mediave, ku Noka e akuzoi Salianjin se me veprimet e tij po i shërben indirekt Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kjo linjë u mbështet edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili, sipas burimeve, i ka kujtuar Salianjit se disa nga personat me të cilët ai po organizon takime kanë punuar për PS-në gjatë zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Salianji reagoi ashpër, duke akuzuar Nokën për shkatërrimin e strukturave të PD-së dhe duke i kërkuar dorëheqjen. Ai e cilësoi të pafalshëm gabimin me Avokatin e Popullit dhe e sfidoi Nokën që të dalë e të përballet me demokratët.
Debati u ashpërsua edhe më tej kur Salianji tha se kishte shkuar në mbledhje me idenë se diskutimi do të ishte për rrëzimin e qeverisë, ndërsa, sipas tij, fokusi ishte kthyer në luftë të brendshme.
Në këtë klimë tensioni, Noka gjeti mbështetje edhe nga deputetët Elda Hoti dhe Blendi Himçi, të cilët i kujtuan Salianjit se më herët u kishte kërkuar firma për të mbështetur Endrit Shabanin.
Pavarësisht përplasjes, burimet bëjnë me dije se mesazhi përfundimtar drejtuar Salianjit ka qenë që çdo analizë të bëhet brenda strukturave të partisë dhe jo përmes daljeve publike, ndërsa ironia e Nokës ka lënë të kuptohet se beteja brenda PD-së sapo ka hyrë në një fazë edhe më të ashpër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






