Transmetuar më 14-12-2025, 13:19

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda PD-së, pas debatit me tone të ashpra që u zhvillua një ditë më parë në mbledhjen e Kryesisë mes Ervin Salianjit dhe Flamur Nokës.

Duke iu përgjigjur një komentuesi që i kërkoi uljen e tensioneve, Berisha deklaroi se nuk ka përçarje brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar mbledhjen si të rëndësishme dhe pozitive.

Ai u shpreh kritik ndaj disa individëve që, sipas tij, pas zgjedhjeve janë distancuar nga partia ose kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me qeverinë për interesa personale.

“Pas zgjedhjeve pati demokratë që u punësuan në administratë dhe të tjerë që flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë. Por Partia Demokratike nuk pranon asnjë kontratë tjetër përveç asaj me qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati theksoi se misioni i PD-së mbetet rikthimi i votës së lirë, demokracia dhe mbrojtja e interesit qytetar, duke shtuar se partia nuk do të veprojë në funksion të interesave individuale.

“Kontrata jonë është me qytetarët, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Kjo është koha e misionarëve”, u shpreh Berisha, duke nënvizuar se ata që, sipas tij, veprojnë në favor të kundërshtarëve politikë, nuk përfaqësojnë idealet e Partisë Demokratike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit