

Tiranë – Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme tre persona, të cilët ushtruan dhunë ndaj shitësit të një biznesi dhe vodhën një shumë prej 100 000 lekësh të rinj.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6, u arrestua shtetasi Marash Aliaj, 33 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Elton Hunda, 35 vjeç, dhe Genc Logu, 34 vjeç, si bashkëpunëtorë në këtë vjedhje me dhunë.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në një biznes (tabachino), në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”, ku autorët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar fizikisht shitësin dhe i kanë marrë shumën e parave.
Gjatë operacionit për kapjen e tij, në rrugën “Sabaudin Gabrani”, Marash Aliaj ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Të tre shtetasit rezultojnë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer prej tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






