

Elbasan – Finalizohet operacioni “Metalurgjiku”, masa ndaj drejtuesve, punonjësve dhe aksionerëve për shkelje të rënda mjedisore
Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Operacioni kishte si objektiv goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit.
Si rezultat i hetimeve, u proceduan penalisht dy subjekte juridike, në bazë të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, pasi ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të ajrit, ujërave dhe tokës.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan 16 shtetas, nga të cilët 9 shtetas të huaj, me funksione drejtuese, teknike dhe operacionale. Ndër të arrestuarit janë administratorë, drejtorë prodhimi, inxhinierë, përgjegjës turni, operatorë furre dhe punëtorë.
Gjithashtu, u arrestua edhe Ismail Dybeli, 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Konkretisht, u vunë në pranga:
Juncheol Chung, 64 vjeç, shtetas korean, administrator
Eglis Flaga, 48 vjeç, banues në Elbasan, administrator
Besnik Abdiaj, 62 vjeç, banues në Elbasan, drejtor prodhimi
Elton Beqi, 48 vjeç, banues në Elbasan, drejtor prodhimi
Elton Bejkolli, 51 vjeç, banues në Elbasan, inxhinier/drejtues teknik
Aaditiya Raj, 31 vjeç, shtetas indian, inxhinier/drejtues teknik
Rahul Pal, 24 vjeç, shtetas indian
Styend Pal, 27 vjeç, shtetas indian
Dheeraj Kumar, 32 vjeç, shtetas indian
Rajesh Yadav, 38 vjeç, shtetas indian
Munna Singh, 43 vjeç, shtetas indian
Prakash Kadel, 32 vjeç, shtetas nepalez
Jakup Karaj, 63 vjeç, banues në Elbasan
Dorjan Xhufka, 45 vjeç, banues në Elbasan
të cilët ushtronin funksione si përgjegjës turni, operatorë furre dhe punëtorë.
Ndërkohë, 8 shtetas të tjerë, aksionerë të subjekteve tregtare, janë shpallur në kërkim dhe ndaj tyre janë referuar materialet procedurale për veprat penale:
“Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”
“Fshehja e të ardhurave”
“Punësimi i paligjshëm”
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e tyre.
Nga hetimet intensive dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, rezultoi se dy subjektet tregtare, të vendosura në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kishin shkelur rëndë legjislacionin mjedisor dhe rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë përpunimin e mbetjeve të baterive.
Për shkeljet e konstatuara, u vendosën masa administrative në vlerën 3 milionë lekë për njërin subjekt dhe 10 milionë lekë për subjektin tjetër, si dhe pezullimi i aktivitetit të të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
Gjatë operacionit u sekuestruan telefona celularë dhe pajisje DVR, si prova materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






