Transmetuar më 14-12-2025, 08:31

Elbasan / Berat / Jug – 14 dhjetor 2025

Prodhimi i vajit të ullirit në Shqipëri po përballet me një krizë serioze, e nxitur nga thatësira, cikli biologjik i bimës dhe mungesa e mekanizimit, duke sjellë rënie të ndjeshme të prodhimit, rritje të fortë çmimesh dhe tkurrje drastike të eksporteve.

Hamit Boja, fermer nga fshati Galigat i Gramshit, i cili zotëron rreth 360 rrënjë ullinj, tregon se prodhimi ka pësuar një rënie drastike. Dy vite më parë ai kishte mbledhur rreth 26 kv ullinj, ndërsa këtë vit vetëm 3.5 kv, nga të cilët arriti të nxirrte rreth 50 litra vaj ulliri, vetëm për konsum familjar.

“Nuk kam marrë as 10% të prodhimit që kisha dy vite më parë. Thatësira dhe mungesa e mekanizimit na kanë dëmtuar rëndë,” shprehet fermeri, duke theksuar se vjelja vijon të kryhet me dorë dhe me kosto të lartë pune.

Situata është e ngjashme në të gjithë qarkun e Elbasanit. Agron Çakalli, drejtues i Federatës Bujqësore Elbasan, pohon se prodhimi i ullinjve në disa zona ka rënë nga 30% deri në mbi 50% krahasuar me një vit më parë.

“Sivjet kemi rënie të fortë prodhimi për shkak të thatësirës së verës dhe mungesës së mekanizimit. Pa investime dhe subvencione, prodhimi nuk mund të rikuperohet,” thotë Çakalli.

Edhe në Jug të vendit situata paraqitet problematike. Ylli Hajdini, drejtues i fabrikës së përpunimit të vajit të ullirit “S.E.D – Borshi”, konfirmon se në zona si Borshi, Lukova dhe Piqerasi, prodhimi ka rënë deri në 50%.

Sipas tij, mungesa e ujit për vaditje, fragmentimi i parcelave dhe puna manuale po rrisin ndjeshëm kostot e prodhimit. Si pasojë, çmimi i vajit të ullirit, veçanërisht për varietetin “Kalinjot”, ka arritur deri në 1,000 lekë për litër, nga 600–650 lekë një vit më parë.

“Me këtë çmim, grumbullimi për treg dhe eksport është pothuajse i pamundur. Kostoja finale e një litri vaj të ambalazhuar shkon në 1,400–1,500 lekë, një nivel i papërballueshëm për konsumatorët dhe jokonkurrues për eksport,” shpjegon Hajdini.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, ndonëse në vitin 2024 prodhimi i vajit të ullirit arriti në 35.6 mijë tonë – niveli më i lartë në 16 vite – fermerët dhe përpunuesit paralajmërojnë se sezoni aktual do të shënojë rënie të fortë për shkak të mungesës së lëndës së parë.

Ndërkohë, eksportet e vajit të ullirit kanë pësuar tkurrje të thellë. Sipas Doganave, në janar–shtator 2025 u eksportuan vetëm 670 mijë kg vaj ulliri, rreth 71% më pak se një vit më parë. Për gjithë vitin 2024, eksportet ranë me rreth 62% krahasuar me 2023.

Në të kundërt, importet janë rritur ndjeshëm. Vetëm në janar–shtator 2025, importet e vajit të ullirit u rritën me mbi 325%, të nxitura nga çmimet më të ulëta në tregjet e huaja dhe fuqia e dobët blerëse në tregun vendas, citon Monitor.

Përpunuesit paralajmërojnë se, pa subvencione për mekanizim, kredi të buta dhe politika mbështetëse për prodhimin vendas, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj tradicional në prodhimin e vajit të ullirit, duke u kthyer gjithnjë e më shumë drejt importeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit