

Tiranë- Detaje të reja janë zbuluar nga debatet e zhvilluara me dyer të mbyllura në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku një debat i ashpër është zhvilluar mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe ish-deputetit Ervin Salianji dhe shkaku ka qenë ish-kryetari i degës së PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu.
Berisha ka deklaruar se Hysen Kadiu është larguar në Shtetet e Bashkuara për fushatë, duke theksuar se i kishte premtuar një vend të sigurt në listë, por se premtimi nuk u realizua.
Kjo deklaratë është kundërshtuar nga Salianji, i cili ka theksuar se Kadiu ka qenë aktiv në fushatë në mbështetje të PD-së.
Debati është ashpërsuar kur Berisha ka reaguar duke thënë se Salianji “oo gënjen, nuk ka punuar”, deklaratë që ka sjellë reagimin e fortë të Salianjit.
Në debat ka ndërhyrë edhe Bled Himçi, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Salianjit, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në çështjen e firmave për Endri Shabanin.
Nga ana e tij, Salianji ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka qenë aktiv në zona të caktuara dhe duke iu drejtuar me ironi bashkëbiseduesve.
Debati:
Sali Berisha: Hysen Kadiu ka ikur në fushatë në Amerikë. Ia kam premtuar që do jetë në listë të sigurt, por s’e mbajta dot, por ai iku, ma ka thënë.
Salianji: Ka qenë në fushatë dhe ka foto të tij nëpër zona dhe duke bërë thirrje për fushatë për të votuar PD.
Berisha: Po gënjen, ai s’ka punuar.
Salianji: Edhe falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën “gënjen” tërhiqe.
Berisha: Jo, nuk ka qenë.
Salianji: Të respektoj si kryetar partie, por fjalën “gënjen” tërhiqeni ose dal nga mbledhja.
Berisha: Ai më ka dërguar SMS vetë.
Salianji: Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me celular në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






