

Vatikan – 13 dhjetor 2025
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në Selinë e Shenjtë, në një audiencë zyrtare nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan, ku ka kërkuar njohjen formale të Kosovës nga Vatikani.
Përmes një videomesazhi, Osmani e cilësoi takimin si një ditë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Vatikanit, duke shprehur shpresën që Selia e Shenjtë të marrë vendimin e shumëpritur për njohjen e shtetit të Kosovës.
Ajo theksoi se një hap i tillë do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajon, por edhe në kontinentin evropian.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci”, deklaroi Osmani.
Presidentja nënvizoi se njohja nga Vatikani do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe suksesin e Kosovës, si dhe në forcimin e stabilitetit rajonal dhe evropian. Ajo vuri në dukje edhe kontributin historik të Kosovës në qytetërimin evropian, duke përmendur figura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza, si dhe rolin e Dardanisë në historinë e krishterimit dhe humanizmit.
Gjatë vizitës, Osmani përcolli edhe urimet e popullit të Kosovës për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, ndërsa ftoi Papa Leon XIV që të vizitojë Republikën e Kosovës.
“E ftova Shenjtërinë e Tij që të vizitojë Kosovën, me shpresën që një vizitë e tillë të realizohet sa më parë”, u shpreh presidentja nga sheshi kryesor i Vatikanit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






