

Ervin Salianji, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, në një prononcim për mediat, ka deklaruar se do të vijojë takimet me demokratët për riorganizimin e selisë blu dhe kthimin e shpresës tek opozitarët për ta kthyer PD-në në alternativë qeverisëse.
I pyetur për zhvillimet politike të cilat u diskutuan gjatë mbledhjes së Kryesisë e cila u shoqërua me debate, Ervin Salianji tha se vendimmarrja e PD është e paqartë dhe përgjegjës për këtë bëri Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Nokën.
Ndër të tjera, ai u shpreh i keqardhur nga mbledhja e kryesisë pasi sipas tij, e zhvendosi fokusin nga protesta tek diskutimet e brendshme. Megjithatë paralajmëron se ndryshimi nuk vjen pa sakrifica.
“Organizimi i protestave dhe revoltës ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama-Balluku, isha i gëzuar që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi aty ku e kam kërkuar prej kohësh, për të pasur protesta dhe revoltë. Më vjen mirë që në 4 orë pati “protestë” ndaj demokratëve të pakënaqur dhe gjysmë ore ndaj Ballukut”, tha Salianji.
Pyetje: Mbledhje kundër jush?
Salianji: Jo kishte mendime të ndryshme, do ecim para, çdo ndryshim nuk vjen pa sakrificë dhe pa reagime e përplasje, çdo akuzë dhe çdo idiotësi do t’i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkretë.
Pyetje: Kërkuat dorëheqjen e Flamur Nokës. I qëndroni këtij mendimi?
Ervin Salianji: Vendimmarrja e PD e cila ishte e paqartë në mjaft situata e bën përgjegjës. Ju kujtoj një rast të caktuar, kur u zgjodh Bamir Topi president, në momentin që 6 deputetë të PS votuan, pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave personale…
Pyetje: Po bëni përgjegjës Flamur Nokën për Avokatin e Popullit?
Ervin Salianji: Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara.
Pyetje: Të kanë akuzuar në mbledhje se ke telefonuar për të mbledhur firmat për Endri Shabanin… Është e vërtetë?
Ervin Salianji: Edhe luftërat punike unë i kam zhvilluar. Edhe firmat për Endri Shabanin unë i kam mbledhur që nuk jam deputet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






