

Tiranë- Debate të ashpra janë regjistruar në mbledhjen me dyer të mbyllura të PD-së, ku Flamur Noka dhe Ervin Salianji janë përplasur ashpër me njëri-tjetrin.
Sipas medieve, anëtari i kryesisë Ervin Salianji ka kërkuar dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka.
Ish-deputeti hodhi akuza ndaj Nokës duke e quajtur si shkatërrimtar të PD-së dhe duke e quajtur të pafajshëm gabimin me emrin e Endri Shabanit për Avokatin e Popullit.
“Jep dorëheqjen Flamur, e pafalshme gabimi me Avokatin e Popullit dhe shkatërrimi i partisë, dil tako demokratët nëse i takon dot”, mësohet të këtë thënë Salianji, Nokës.
Nga ana tjetër, Noka e akuzoi Salianjin se po bashkëpunon me kundërshtarët politikë.
"Me këtë që bën, je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë", mësohet t’i ketë thënë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Salianjit.
Po ashtu mediat raportojnë se edhe Sali Berisha është përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë me Salianjin për moskandidimin e Hysen Kadisë, i cili doli më i votuari në Qarkun Tiranë në Primaret e PD.
Nga burimet brenda mbledhjes së kryesisë, mësohet se Salianji i është drejtuar Berishës se “cili nen i statutit, ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët”.
“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar jo përjashtuar si tek PS, kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, është shprehur Salianji.
Më tej ai ka vazhduar duke iu drejtuar Nokës dhe Berishës se “sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






