Transmetuar më 13-12-2025, 17:20

LEZHË – Mesditën e djeshme, një shtetas i identifikuar si Adriano Berisha, 31 vjeç, ka tentuar të largohet nga ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shënkoll, pranë Lezhës.

Sipas burimeve zyrtare, tentativa ka ndodhur gjatë qëndrimit në regjimin e jashtëm të institucionit. 31-vjeçari ka kaluar perimetrin rrethues, por është kapur rreth 500 metra larg burgut nga shërbimet e sigurisë dhe është rikthyer menjëherë në ambientet e institucionit, pa incidente.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Institucioni vijon funksionimin normal, ndërsa masat e sigurisë janë vënë në rishikim.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, një tjetër i dënuar, Daut Laze, arriti të largohej nga IEVP Shënkoll duke kapërcyer murin rrethues të institucionit.

SQARIM PËR MEDIA

Në datën 11 dhjetor 2025, pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale IMP Lezhë, i cili funksionon si institucion i posaçëm mjekësor, u konstatua një tentativë për largim nga ambientet e institucionit e një personi ndaj të cilit është caktuar masë mjekësore “mjekim i detyruar në institucion mjekësor”, me vendim gjykate.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, gjatë një aktiviteti ndihmës për sistemimin e mbeturinave në regjimin e jashtëm të institucionit, nën mbikëqyrjen e punonjësve të sigurisë. Gjatë këtij procesi, personi në fjalë ka kaluar telin e perimetrit të jashtëm, duke tentuar largimin nga territori i institucionit.

Menjëherë pas konstatimit, rreth orës 09:33, ai është kapur dhe neutralizuar në afërsi të institucionit nga punonjësit përgjegjës, pa pasur rezistencë apo kundërshtim nga ana e tij dhe pa asnjë incident apo rrezik për punonjësit apo komunitetin.

Theksojmë se IEVP Lezhë është institucion mjekësor i posaçëm, ku zbatohen masa sigurie të përshtatura për pacientë dhe jo për të dënuar apo të paraburgosur. Kjo kategori personash trajtohet në mënyrë të diferencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet mjekësore e të të drejtave të njeriut.

Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar strukturat kompetente, përfshirë prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm Lezhë, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), për vijimin e procedurave ligjore dhe administrative përkatëse.

Institucioni vijon funksionimin normal, ndërsa masat organizative dhe të sigurisë po rishikohen në mënyrë parandaluese, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të menaxhimit dhe sigurisë së pacientëve dhe stafit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit