

SHKODËR- Gjatë natës së kaluar, një supermarket në zonën e Kryebushatit, Bashkia Vau-Dejës, u përfshi nga flakët e zjarrit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, kur zjarrin e përhapur me shpejtësi e vunë re fqinjët dhe autoritetet lokale.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë disa ekipe zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha, të cilët punuan orë të tëra për të frenuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit te objektet pranë.
Supermarketi u shkrumbua pothuajse plotësisht, ndërsa vlerësohet se dëmet materiale janë të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet asnjë i lënduar, pasi objekti ishte i mbyllur gjatë incidentit.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura, dhe autoritetet pritet të kryejnë hetimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orëve të para të mëngjesit, në vendin e quajtur Kryebushat, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht një subjekt tregtar “supermarket”. Nga zjarri nuk ka pasur shtetas të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit”, njofton policia.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






