

SHBA, 13 Dhjetor 2025, 07:50
Situata e sigurisë në Haiti vijon të përkeqësohet, teksa bandat kriminale kanë vënë nën kontroll pjesë të mëdha të vendit, duke ushtruar dhunë ekstreme ndaj popullsisë civile. Për vite me radhë, grupet e armatosura janë përgjegjëse për vrasje, përdhunime, plaçkitje dhe rrëmbime të panumërta, duke e futur vendin më të varfër të Amerikës në një krizë të thellë humanitare dhe institucionale.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, Albert Ramdin, njoftoi se 18 vende janë zotuar të dërgojnë forca sigurie në Haiti, në kuadër të një operacioni të ri ndërkombëtar që synon të zëvendësojë misionin shumëkombësh të mëparshëm dhe të luftojë drejtpërdrejt bandat.
Sipas Ramdin, forcat do të veprojnë nën të njëjtat rregulla dhe në bashkëpunim të plotë, çka e ka bërë procesin e ngritjes së këtij mekanizmi të ri të sigurisë të gjatë dhe kompleks. Ai bëri me dije se forca do të përbëhet nga rreth 5,500 ushtarë dhe e cilësoi situatën në terren si “shumë serioze”.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Port-au-Prince, Ramdin theksoi se prania e qeverisë në kryeqytet dëshmon se institucionet ende ekzistojnë dhe ruajnë një nivel kontrolli, pavarësisht kushteve tepër të vështira të sigurisë në vend.
Vendi i Karaibeve nuk ka mbajtur zgjedhje për nëntë vjet. Qeveria kalimtare njoftoi së fundmi se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen në verën e vitit 2026.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






