

PRISHTINË, 12 dhjetor 2025 — Për herë të parë në Kosovë është publikuar një analizë e detajuar mbi mënyrën si përzgjidhen kandidatët për deputet dhe sa shpenzojnë ata për të fituar një ulëse në Kuvend. Raporti “Kostoja e Politikës në Kosovë”, i realizuar nga Demokraci Plus (D+) në bashkëpunim me Westminster Foundation for Democracy (WFD), ka sjellë transparencë të paprecedentë në fushatën zgjedhore.
Sipas raportit, një kandidat shpenzon mesatarisht 9,463 euro për fushatë. Të zgjedhurit shpenzojnë dukshëm më shumë — rreth 12,150 euro — ndërsa kandidatët që nuk arrijnë të fitojnë shpenzojnë mesatarisht 4,090 euro. Studimi thekson se gratë kandidate shpenzojnë më shumë sesa burrat, duke reflektuar sfida të ndryshme të pjesëmarrjes politike.
Raporti hedh dritë edhe mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të cilat ndryshojnë nga një parti në tjetrën.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, rëndësi ka pasur përfaqësimi gjeografik, ndikimi i kandidatëve në zonat nga vijnë, aftësia për të përballuar debatet politike dhe roli i tyre si aktivistë të hershëm. Afërsia me lidershipin është përmendur si një kriter i pashkruar.
Te Partia Demokratike e Kosovës, kriteri kryesor ka qenë të kalohet një filtër i “listës së pastër”: kandidatët nuk duhet të kenë aktakuza, ndërsa integriteti dhe profili profesional mbeten thelbësorë. PDK ka tentuar të rinovojë listat përmes përfshirjes së të rinjve dhe figurave të reja politike, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet me ish-luftëtarët e UÇK-së dhe përfaqësimin gjeografik jashtë Drenicës.
Lidhja Demokratike e Kosovës është fokusuar tek ruajtja e votës konservative, përfshirja e figurave me histori të gjatë aktivizmi, profesionistëve me lidhje me komunitetin e biznesit dhe kandidatëve me vizion ekonomik. Afërsia me drejtuesit e partisë ka qenë një nga elementët favorizues në përzgjedhje.
Studimi bazohet në intervista gjysmë të strukturuara me 15 kandidatë, prej të cilëve 10 siguruan ulëse në Kuvend. Për verifikimin e rezultateve, u zhvilluan edhe dy fokus-grupe: një me kandidatë të partive dhe një tjetër me gazetarë e ekspertë të fushatave zgjedhore.
Raporti shënon një hap të rëndësishëm drejt transparencës së financimit politik në Kosovë, duke nxjerrë në pah nevojën për rregulla më të qarta dhe praktika më të përgjegjshme në fushatat zgjedhore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






