Transmetuar më 12-12-2025, 20:58

Tiranë- Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot vendimet e miratuara nga mbledhja e qeverisë, ku spikat ngritja e Task-Forcës – Host Nation Task Force (HNTF) dhe e Skuadrës Kombëtare të Organizimit për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.

Sipas njoftimit, “Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit”, ndërsa në përbërje përfshihen ministrat kyç të kabinetit, përfaqësues të Kryeministrisë, sekretarët e përgjithshëm, Shefi i Shtabit të FA, drejtori i SHISH-it, drejtori i APP-së dhe ai i Shërbimeve Qeveritare.

Kjo strukturë do të ketë rol drejtues në përgatitjet logjistike, sigurinë dhe organizimin e këtij eventi të rëndësishëm të aleancës.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi gjithashtu Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, si dhe dha miratimin në parim për marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri–Kanada për transportin ajror, një hap që synon lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Një tjetër vendim ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për prokurimin, projektimin dhe realizimin e punimeve të rikonstruksionit të hapësirave të dëmtuara në bodrumin e ndërtesës së Kryeministrisë, me synim kthimin e tyre në ambiente funksionale.

Në përfundim të mbledhjes, qeveria bëri të ditur se Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, do lirohet nga detyra, pa dhënë më shumë detaje mbi arsyet e këtij vendimi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit