

12 dhjetor 2025
Pas më shumë se 10 vjetësh ndalim të gjuetisë, Kuvendi miratoi me 80 vota pro projektligjin e ri “Për gjuetinë”, duke rikthyer zyrtarisht këtë aktivitet në zona të caktuara të vendit, pasi moratoriumi kishte përfunduar në gusht 2025.
Sipas ligjit, fillimisht gjuetarë mund të jenë vetëm shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 25 vjeç, posedojnë armë me leje dhe pajisen me një leje të posaçme gjuetie.
Projektligji parashikon se statusi i zonave të gjuetisë mund të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, zhvillimit rural ose rasteve të keqpërdorimit apo shkeljeve të kontratave nga qiramarrësit. Për shkeljet, gjobat variojnë nga 500 mijë deri në 1.3 milionë lekë, veçanërisht në rastet e gjuetisë pa leje ose në zona të mbrojtura.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e ka nxjerrë draftin për konsultim publik, ndërsa ligji synon të vendosë një kuadër të qartë ligjor për menaxhimin e aktivitetit të gjuetisë.
Në seancë pati debat dhe kundërshti, ku disa deputetë shprehën shqetësime për distancat e sigurisë nga zonat e banuara, moshën minimale të gjuetarëve dhe përdorimin e kurtheve, duke kërkuar garanci më të forta për sigurinë publike dhe mbrojtjen e faunës.
Me miratimin e këtij ligji, gjuetia rikthehet zyrtarisht në Shqipëri pas një dekade ndalimi dhe diskutimesh të gjera mbi ndikimin në biodiversitet dhe aktivitetet rurale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






