

Lionel Messi, një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, do të nderohet në Indi me një statujë madhështore 21 metra, të cilën do ta zbulojë vetë gjatë një turneu special tre-ditor.
Ylli argjentinas, 38 vjeç, do të mbërrijë në Kalkuta të shtunën, sipas BBC, për të nisur turin e shumëpritur “GOAT Tour”.
“Më shanin, më thoshin që s’jam argjentinas”, Messi zbulon dhimbjen që mbante përbrenda!
Statuja kolosale, e ndërtuar në 27 ditë nga një ekip prej 45 personash, është një tribut për karrierën marramendëse të 8-herë fituesit të Topit të Artë.
Tifozët do të kenë mundësinë të vizitojnë edhe zonën “Hola Messi”, ku ndodhet një replikë në përmasa reale e Messit të ulur në një fron.
Messi, i konsideruar nga shumë si futbollisti më i madh i të gjitha kohëve, shkëlqeu për 17 vite me Barcelonën, ku fitoi 10 tituj LaLiga, 7 Copa del Rey dhe 4 Champions League.
Ai udhëhoqi gjithashtu Argjentinën drejt fitores historike në Kupën e Botës 2022 dhe dy herë drejt triumfit në Copa America.
Kapiteni i Argjentinës ka vazhduar të shtojë trofetë edhe pas aventurës evropiane, duke fituar dy tituj Ligue 1 me PSG-në dhe, së fundmi, tre trofe me Inter Miamin, përfshirë MLS Cup, Supporters’ Shield dhe Leagues Cup.
Pas ceremonisë në Kolkata, Messi do të udhëtojë drejt Hyderabad, Mumbai dhe New Delhi, i shoqëruar nga shokët e tij të ekipit – Luis Suarez dhe Rodrigo De Paul.
Kjo nuk është hera e parë që “Pleshti” nderohet me një monument: në vitin 2016 ai u përjetësua me një statujë në Argjentinë, ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se klubi po punon për një statujë të tij edhe në “Camp Nou”.
Tifozët indianë po përgatiten për një festë të paharrueshme, teksa legjenda e gjallë e futbollit zbarkon për herë të parë për një tur të tillë historik në vendin e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






