

Një numër i madh forcash speciale operacionale dhe RENEA, zhvilluan orët e para të ditës së sotme një operacion të gjerë policor në Shkodër dhe zonën e Fushë Kuqes dhe Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar dy persona që i sheh si kriminelë të zhytur në disa vepra penale.
Noa.al konfirmoi se janë arrestuar Elvin Mërlika, kushëri i Ervis Martinaj dhe Alket Xhixha. Elvin Merlika është i dyshuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të Indrit Dokles.. Ai gjithashtu akuzohet nga SPAK dhe për veprën penale pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit në komunikatë për shtyp tha se nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, është realizuar operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”.
"Janë kapur në një terren të vështirë dhe vihen në pranga dy të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ata u kapën të armatosur me armë zjarri pistoleta dhe armë gjahu", tha policia.
Ajo shtoi se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
"Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht:
Alket Xhixha, 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe Elvin Merlika, 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”;
“Grup i strukturuar kriminal”;
“Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje.
Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.
Policia tha se po vazhdon puna për dokumentimin dhe gjetjen e provave të tjera. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






