

Tiranë, 12 dhjetor, 2025- Të dhënat e INSTAT tregojnë se, ndonëse ekonomia shqiptare u zgjerua me 3.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025, punësimi në grup-moshën 15–64 vjeç është tkurrur me 19,561 persona gjatë periudhës qershor–shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Papunësia ka mbetur e pandryshuar, çka sugjeron se problemet lidhen më shumë me tkurrjen e forcës së punës sesa me rritjen e kërkuesve të punës. Rënia e shpejtë e popullsisë dhe emigracioni e bëjnë gjithnjë e më të vështirë të kuptohet sa vende pune po krijon realisht ekonomia.
Sipas të dhënave, tkurrja më e madhe e punësimit vërehet tek grup-mosha 15–29 vjeç, me mbi 11 mijë të rinj më pak të punësuar, duke reflektuar ritmin e lartë të emigracionit. Edhe grup-mosha 30–64 vjeç është tkurrur me mbi 8,500 persona, duke treguar se largimi nga tregu i punës prek edhe punonjësit me eksperiencë.
Sektorët me intensitet të lartë pune, si industria dhe bujqësia, po përballen me vështirësi nga rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe kostot e larta, ndërsa prodhimi fason ka reduktuar ndjeshëm stafin. Edhe ndërtimi dhe shërbimet kanë frenuar rekrutimet për shkak të presionit të pagave dhe rritjes së kostove.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, forca e punës në grup–moshën 15–64 vjeç arriti në 1,150,656 persona, me një tkurrje prej 1.7% krahasuar me një vit më parë. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku rënia e punësimit çon automatikisht në rritje të papunësisë, në Shqipëri një pjesë e personave që humbasin vendin e punës nuk regjistrohen, pasi synojnë emigracionin ose zgjedhin të mos jenë aktivë përkohësisht në tregun e punës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






