

Pas një muaj diskutime në komisionet parlamentare, buxheti i vitit 2026, u vulos me 81 vota pro dhe 16 kundër, pas mesnatës së kësaj të premte në parlament.
Mes dhjetëra amendimeve për shtesa buxhetore për institucione e projekte të ndryshme nga deputetët, të gjithë u rrëzuan.
“Këto amendime shkonin në 278.9 miliardë lekë, që ishte dhe më e madhe sesa 10% e GDP-së, kjo rritje kaq e lartë që kërkonte opozita cenonte pikërisht konsolidim fiskal”, tha Ekonomi.
Të vetmit që u pranuan, ishin kërkesat e institucioneve të bëra në komisionet parlamentare. 12 institucione marrin 504.9 milionë lekë shtesë, kryesisht institucionet e drejtësisë, morën para ekstra.
Gati 886.7 miliardë lekë ose 8.8 miliardë euro do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.
Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve që parashikon bonuse të përmuajshme. Sipas të dhënave në projektligj fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre.
Buxheti i ri mbështet edhe rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë si dhe indeksimin me 2.5% të pagave të administratës publike, duke nisur nga 1 janari.
Investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar të arrijnë në vlerën rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro të planifikuara këtë vit.
13.5 miliardë lekë është fondi për kompensimin e medikamenteve, si dhe 1.5 miliardë lekë do përdoret për barnat onkologjike.
Ndërkohë sa i takon të ardhurave ato planifikohet të arrijnë në vlerën 8.2 miliardë euro nga 7.7 miliardë euro aktualisht, rritje që pritet të ndikohet kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe miradministrimi.
Në vitin që vjen borxhi publik do të kapë shifrën e 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro i parashikuar për këtë vit.
Rritja ekonomike është planifikuar në 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.
Institucionet që marrin më shumë para
Buxhetin më të madh vijon ta ketë ministria e shëndetësisë me 82.2 miliardë qenë për të mbuluar të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor.
Me pas është Ministria e Infrastrukturës me 77.2 mld lekë buxhet, ku pjesa më e madhe mbi 35 miliadë lekë shkojnë për transportin rrugor, për shkak të projekteve të shumta rrugore.
Me pas është Ministria e Arsimit me buxhet total 64.8 mld lekë, ku do të financohen hallkat e arsimit, tekstet falas e transporti falas për mijëra nxënës e mësues që e kanë shkollë larg banesave.
Në kuadër edhe të detyrimeve ndaj NATO Ministria e Mbrojtjes merr një rritje më gati 10 miliardë lekë krahasuar me këtë vit. Portofoli i saj në total do të jetë 58.9 mld lekë. Ministria e Ekonomisë që brenda saj ka edhe pensionet do të ketë në dispozicion 41.7 mld lekë, ndjekur nga Ministria e Brendshme 35.7 mld lekë.
Bujqësia vijon të konsiderohet e nënfinancuar edhe me këtë buxhet. Në total Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në dispozicion 16.2 mld lekë, por vetëm 7.6 miliardë lekë do të jenë në dispozicion të skemave për fermerët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






